Ylli afrikan i FC Prishtinës, Otto John, nuk ka hezituar të thotë ‘po’ kur është pyetur nëse do të pranonte ftesën e Kosovës.
Në një intervistë për Zerin, John tha se kohë të mjaftueshme ka kaluar në Kosovë dhe Shqipëri andaj sigurisht, me gjithë qejf do t’i thoshte po ftesës nga Bernard Challandes.
“Po, do të pranoja”, u shpreh ai kur u pyet lidhur me këtë.
“Në të shumtën e kohës kam luajtur në Kosovë dhe Shqipëri, andaj do të pranoja. Nëse do ta kisha mundësinë, do të pranoja”.
Ndryshe, nigeriani e ka nisur për mrekulli aventurën e re me FC Prishtinën. Në tri ndeshjet e para në stinorin pranveror në IPKO Superligë, ai ka shënuar katër gola.