Ish-kampioni botëror i peshave të rënda Leon Spinks, i cili rrëmbeu kurorën botërore nga Muhamed Ali në 1978, ka vdekur në moshën 76 -vjeçare.
I sëmurë me kancer, Spinks u shtrua në spital në dhjetor në Las Vegas, ku vdiq, sipas një deklarate nga agjencia The Firm dhe kanali televiziv KVVU i të njëjtit qytet.
“Ai e zhvilloi betejën e fundit me të njëjtat cilësi që e shoqëruan atë përmes shumë sfidave në jetë. Leon luftoi me shumë sëmundje, duke mos e humbur kurrë buzëqeshjen e tij legjendare. Duke treguar vendosmëri të sinqertë, ai kurrë nuk e hodhi peshqirin, ”thuhej në deklaratë.
Gjatë karrierës së tij, Leon Spinks regjistroi 27 fitore, 17 humbje dhe tre barazime.
Si amator, ai fitoi medaljen e artë olimpike në pesha të rënda në 1976 në Montreal, para se të bëhej profesionist gjashtë muaj më vonë në moshën 23 vjeç.
Pas vetëm tetë luftimesh profesionale (7 fitore dhe 1 barazim), Spinks u përball më 15 shkurt 1978 në Las Vegas me të famshmin Muhammad Ali, i cili atëherë ishte 36 vjeç.
Dhe pas 15 raundesh, vetëm trembëdhjetë muaj pasi bëri debutimin e tij profesional, Spinks u shpall fitues me vendim të ndarë, momenti më i lavdishëm i karrierës së tij.
Shtatë muaj më vonë, Ali u hakmor duke e mundur me vendim unanim para 70,000 spektatorëve të mbledhur në Superdome në New Orleans.