Skuadra e basketbollit KB Prishtina, sot ka mbajtur Kuvendin Zgjedhor, derisa edhe ka zgjedhur kryetarin dhe bordin e ri.
Klubi kryeqytetas ka njoftuar se kryetar i ri është zgjedhur Burim Maraj, për të cilin nuk pati asnjë votë kundër.
Njoftimi i plotë i KB Prishtina:
Sot në ambientet e “Hotel International Prishtina” u mbajt Kuvendi Zgjedhor i klubit. Në praninë e shumë anëtarëve dhe dashamirëve të klubit tonë në cilësinë e delegatëve, u votua për kryetarin e ri të klubit.
Me të gjitha votat Për, z.Burim Maraj u zgjodh kryetar i ri i klubit Sigal Prishtina.
Ish basketbollisti i Prishtinës, Burim Maraj, është magjistër i shkencave të ekonomisë në London Metropolitan University, si dhe ka përvojë të madhe në fusha të ndryshme të menaxhmentit dhe ndërmarrësi.
Po ashtu sot është zgjedhur edhe Bordi i ri i klubit, i cili premtoi një punë të madhe për klubin më të trofeshëm shqiptar në krejt hapësirën gjeografike shqiptare.
Në këtë kuvend zgjedhor, të pranishëm ishin edhe tifo grupi ynë më i mirë shqiptar Plisat, zyrtarë të Federatës së Basketbollit të Kosovës, të Komunës së Prishtinës, si dhe sponzorët tanë besnikë.