Legjenda e UFC, Khabib Nurmagomedov, mund të bëhet pjesë e një klubi profesionist futbolli. 32-vjeçari, i pamposhtur në MMA në 29 ndeshje të zhvilluara, pasi mposhti Justin Gaethje deklaroi tërheqjen nga luftimet.
Para pa ditësh ai bëri një postim në Twitter, duke shkruar se është lojtar i lirë dhe në pritje të ofertave. FC Kamaz, që garon në grupin 4 të ligës së tretë, menjëherë i ka bërë atij një ofertë dhe tenton ta bindë Khabib.
“Ne ju ofrojmë ju të bëni debutimin në futbollin si pjesë e ekipit tonë. PFL është futboll si UFC. Ne luajmë çdo ndeshje për ta fituar, jemi ekip ambicioz me synimin për t’u ngjitur në FNL”, shkruan mes të tjerash Kamaz në “Instagram”.
Më pas në lojë është futur edhe PFL, që në Twitter kishte një mesazh për Khabib, të cilit i kishin bërë gati edhe kartonin e federimit. Kështu luftëtari i MMA, nëse dëshiron, mund të bashkohet me Kamaz dhe të tregojë cilësitë e tij në futboll, sikurse bëri disa ditë më parë duke luajtur me holandezin Clarence Seedorf.