Te Real Madridit vetëm pak ditë para El Clasicos ndaj Barcelonës, shpërthen çështja Toni Kroos.
Mesfushori gjerman i cili u përjashtua nga Zinedine Zidane për ndeshjen e parë ndaj Manchester City në Champions për zgjedhje teknike, është parë në fund të takimit duke biseduar me Pep Guardiolën, duke shtuar zërat për një largim të mundshëm të tij në fund të sezonit.
Guardiola e ka trajnuar Toni Kroos gjatë vitit të tij të parë te Bayern Munich dhe mes të dyve gjithmonë ka ekzistuar një raport i shkëlqyer.
Nuk përjashtohet mundësia që gjermani të transferohet te Manchester City në merkaton e verës edhe pse për momentin është i blinduar në Madrid me një kontratë deri në vitin 2023.
Në anën tjetër, Zizu tha se s’ka asnjë problem me Tonin, por vendosi të mos e aktivizojë ndaj Man City për çështje taktike.