Ish-futbollisti i SC Gjilanit, Jackson Ferreira, është bërë temë e diskutimeve nga mediet vendore pas shkëputjes së kontratës me klubin gjilanas.
Ferreira kishte shkëputur kontratën e tij me SC Gjialnin, por arsyeja nuk dihej deri tani. Ishte vet trajneri i Gjilanit, Bylbyl Sokoli, i cili duke folur për “Dueli Sportiv”, kishte deklaruar se brazilianit iu ndërpre kontrata shkaku se ishte i padisiplinuar.
Sokoli e kishte akuzuar futbollistin se ka munguar në stërvitje pa arsye, dhe e ka sulmuar futbollistin duke thënë se ai është i pa disiplinuar duke ju referuar kartonit të kuq të cilin e morri në Superligë.
Tani, Ferreira ka reaguar ish-trajnerit të tij, duke thënë se aktualisht, ai ishte me pushime tek familja e tij në Brazil.
“Unë isha në Brazil dhe për këtë arsye nuk pata mundësi të marrë pjesë në dy stërvitje, por trajneri nuk më besoi. Ai ishte poashtu shumë i nërvozuar për kartonin e kuq që mora kundër Ballkanit”, tha ai.
“Këtë vit kisha vetëm 10 ditë pushim, unë jam brazilian dhe qëndrova një vit pa parë familjen time. Kur shkova në pushime, u përpoqa të isha në Kosovë më 5 janar, por kisha një problem me testin ndaj COVID-19, kështu që isha dy ditë me vonesë”, tha Jackson Ferreira për “Gazetablic.com”.
Ai akuzoi Sokolin se nuk i besoi dhe se ai duhej ta fuste vetën në “këpucët e tij”, pasi Sokoli ka familjen në Prishtinë dhe e ka lehtë për ti vizituar.