Viti 2020 ka kaluar me shumë luhatje për Vedat Muriqin, i cili alternoi shpërthimin e tij te Fenerbahçe me periudha ku qëndroi për një kohë të gjatë jashtë fushës së lojës si pasojë e dëmtimeve.
Sulmuesi i Kosovës e ka mbyllur këtë vit shumë larg formës optimale dhe jo një titullar te Lacio, ku kishte shkuar me qëllimin për t’u bërë protagonist.
Por një dëmtim mund ta ndihmojë Muriqin që të fitojë vendin e titullarit në radhët e Lacios. Imobile është i paprekshëm për Inzagin ndaj sulmuesi duhet të luftojë për vendin e partnerit në sulm të golashënuesit më të mirë të kampionatit italian.
Dëmtimi i Korreas, i cili do të mungojë në ndeshjes e parë ndaj Xhenoas që luhet të dielën, pritet t’i hapë rrugë Muriqit që të luajë titullar. Inzagi mendon se ai përshtatet me mirë me Imobilen se Kaisedo, i cili përveç të tjerave është një futbollist i cili mund të largohet gjatë merkatos së janrit. Një mundësi më shumë për sulmuesin e Kosovës, i cili ka shansin që në këtë fillim viti të tregojë realisht vlerat e tij dhe të sigurojë pozicionin e titullarit për të cilin iu bashkua Lacios e ku deri tani nuk ka dhënë më të mirën e tij.