Menaxheri ndërkombëtar i futbollit me prejardhje nga Tetova, Fali Ramadani do të blejë klubin serb të futbollit Maçva Shabac, shkruajnë mediat serbe përcjell ShqipMedia.
Sipas mediave serbe, pothuajse gjithçka është gati dhe pritet vetëm zyrtarizimi. Klubi në fjalë ka probleme financiare dhe shpëtimi i vetëm është tek Fali Ramadani. Ky i fundit nuk do të udhëheqë direkt me klubin por bashkëpuntorët e tij.
Fali Ramadani para disa viteve ishte edhe menaxher i klubit të Shkëndijës së Tetovës.
Kush është Fali Ramadani, menaxheri shqiptar i futbollit?
Fali Ramadani një nga menaxherët më të suksesshëm të Evropës në futboll, është vënë nën hetim për pastrim parash në shuma marramendëse. 52-vjeçari është me origjinë nga një familje shqiptare në Tetovë, ndërsa prej vitesh jeton në Gjermani.
Në vitin 2015 Ramadani ishte mes 5 kandidateve për çmimin e menaxherit te vitit, i cili në fund u fitua nga portugezi Jorge Mendes. Ai njihet si krijuesi i një shoqërie menaxheresh Lian Sport së bashku me Nikola Damjanaç, ku sot kjo kompani është ndër 5 më të mirat në botë.
Karriera e tij vazhdoi, duke menaxhuar kryesisht lojtarë të Evropes Juglindore. Ramadani menaxhonte malazezin Jovetic, shqiptarët e Zvicrës Valon Behrami dhe Admir Mehmedi, Elvir Malokun e Hajdukut, por edhe serbët e kombëtares Nastasiç, Markoviç, Maksimoviç dhe Stojkoviç.
Emri i Ramadanit u përfshi edhe në blerjen e Real Madridit, Luka Jovic. Në atë kohë agjenti shqiptar, ka vizituar zyrat e Real Madrid disa herë për të zgjidhur të ardhmen e klientëve të tij të ndryshëm. Në tavolinën e bisedimeve me Jose Angel Sanchez kanë qenë Miralem Pjanic dhe Kalidou Koulibaly, dy nga lojtarët e tij më të famshëm.
Po gjatë kësaj periudhe “AS” bënte të ditur se Jovic do të firmoste me Real Madrid për gjashtë sezone me shumën e 60 milionë euro, nga të cilat 42 milionë për Eintracht Frankfurt, 9 milionë shkojnë për klubin mëmë, Benfica. Ndërsa, 9 milionë shkuan për autorin e marrëveshjes, menaxherin Ramadani.
Sipas The Economist, Lian Sports është agjencia e 12 më e rëndësishme në botë dhe e pesta nga ato të dedikuara vetëm futbollit. Ata kanë grumbulluar 49 milionë euro si paga agjentësh dhe kanë negociuar të paktën kontrata që në total kapin vlerën e 500 milionë euro.
Ramadani është fokusuar gjithnjë tek futbollistët serbë, kroatë, boshnjakë dhe malazezë dhe kryesisht ka punuar me Serie A. Në vitet e fundit ka transferuar tek Fiorentina lojtarë si Jovetic, Ljajic, Nastasic, Seferovic dhe Behrami.
Emri i agjentit filloi të dëgjohej në Spanjë verën e 2018 kur nisi interesimi për Pjanic. Boshnjaku ishte një nga mesfushorët që përflitej për një transferim tek Barcelona për të zëvendësuar Rakitic. Në fund, lëvizja nuk u bë kurrë.
Ndër shumë futbollistë, Lian Sports përfaqëson gjithashtu Marcos Alonso (Chelsea), Ivan Perisic (Inter), Ante Rebic (Eintracht), Cengiz Ünder (Roma), Maksimovic (Napoli), Nikola Kalinic (Atlético), Stevan Jovetic (Mónaco) dhe Samir Handanovic (Inter).