Mikel Arteta është i gatshëm të hedhë pas krahëve episodin e Granit Xhakës, i cili kapi për fyti kundërshtarin në ndeshjen ndaj Burnely-t, ku u ndëshkua më karton të kuq.
Trajneri i Arsenalit e etiketoi incidentin si “të papranueshëm”, menjëherë pas ndeshjes, fjalë që nxitën spekulimet për largimin e mesfushorit sapo të hapet merkatoja në janar, ose në verë. Kur u pyet nëse 28-vjeçari kishte ende të ardhme në “Emirates”, spanjolli theksoi:
“Nuk është i vetmi që ka kaluar momente të tilla. Ka shumë lojtarë që kanë pasur momente të vështira. Ajo që mund të them për Granitin është profesionalizmi i tij. Angazhimi i tij për klubin dhe ekipin është maksimal. Ai e di, dhe të gjithë e dimë, se kishte një moment kur e humbi”.
”Unë e di arsyen pse, por ajo që nuk mund të bëj është të hedh tutje gjithçka që ai ka bërë, vetëm për një gabim. Të gjithë bëjmë gabime. Jam këtu për të mbrojtur lojtarët, kur shoh se ata e meritojnë. Dhe, me siguri, Graniti është një prej tyre që duhet mbështetur për mënyrën se si i qaset çdo seance stërvitore, se si dëshiron t’i bëjë gjërat në mënyrën e duhur gjatë gjithë kohës. Çfarëdo që të ketë ndodhur brenda skuadrës sonë, më vjen keq, por nuk mund ta diskutojmë. Është zgjidhur brenda për brenda dhe kjo është ajo që unë mund të them”.