Ndryshe nga viti i kaluar, kur rezultatet dhe paraqitjet ishin në nivelin më të mirë të mundshëm, Përfaqësuesja e Kosovës këtë vit ishte poshtë pritshmërive.
Skuadra që drejtohet nga trajneri zviceran Bernard Challandes pati një kampanjë të dobët në Ligën e Kombeve, duke e mbyllur grupin C3 me vetëm një fitore, dy barazime dhe tri humbje.
Sikur të mos mjaftonte kjo, Kosova e humbi edhe rastin e artë për t’u kualifikuar në kampionatin evropian “Euro 2020” përmes fazës “play-off” të Ligës së Kombeve, ku në muajin tetor u mposht nga Maqedonia e Veriut (2:1) në Shkup.
Gjithë kësaj i kontribuoi më së shumti situata me pandeminë COVID-19, e cila e ka kapluar globin, por edhe futbollistët e lënduar, që e lanë Kosovën të hendikepuar në ndeshjet më të rëndësishme të këtij viti, derisa tifozët kanë mbetur plotësisht të zhgënjyer.
Përzgjedhësi i Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për “Zeri.info” është rrëfyer gjerë e gjatë në lidhje me situatën e tij shëndetësore pas infektimit dhe shërimit nga COVID-19, atmosferën te Përfaqësuesja, prurjet e reja, prezencën e Mirlind Dakut dhe Armend Thaqit, të ardhmen e tij, si dhe për “problemin” me futbollistin pejan, Bernard Berisha.
Trajneri zviceran është kthyer ta komentojë edhe “problemin” me Bernard Berishën, futbollistin e Kosovës, i cili s’u ftua për ndeshjet e tetorit, por në ndeshjet e nëntorit luajti në tri ndeshjet.
I pyetur nëse mendon se kishte bërë zgjidhjen e duhur kur nuk e ftoi pejanin në ndeshjet e tetorit, Challandes tha:
“Qartësisht po, unë mendoj kështu. Unë e kam marrë këtë vendim dhe e di se pse. Më pas, në rregull. Ishte situatë e veçantë brenda familjes sonë. Bernardi ishte i ftuar në ndeshjet e fundit dhe isha i lumtur me të”.
“Edhe në fundjavë ai shënoi me skuadrën e tij. Nuk ka problem, kjo mbetet mes trajnerit dhe futbollistit. Ka nganjëherë keqkuptime në mes të futbollistëve dhe trajnerit, por kjo është normale”, shtoi Challandes.