Në Angli presin që Lionel Messi të bëhet pjesë e Ligës Premiere. Edhe më shumë tani që Pep Guardiola nënshkroi rinovimin e kontratës me “Citizens”. E donin verën që kaloi, kur “Pleshti” dërgoi burofaksin e famshëm nëpërmjet të cilit lajmëronte drejtuesit për përfundimin e kontratës, por duket se duan ta marrin edhe në dimër, edhe pse 33-vjeçari ka kontratë të paktën deri në qershor me Barcelonën.
Sipas “The Sun”, Manchester City do të përgatisë një ofertë prej 55-60 milionë euro për ta marrë argjentinasin në dritaren e ardhshme të afatit kalimtar. Një transferim i tillë duket i vështirë, duke marrë parasysh situatën e klubit “blaugrana”, me zgjedhjet presidenciale që do të zhvillohen në fund të janarit.
“The Sun” thekson gjithashtu që Manchester City mund të përfshijë në bisedime kartonin e Eric Garcías, mbrojtësit qendror të “Citizens”, aq shumë i kërkuar nga Barça, për të ulur disi çmimin e Leos.
Në të njëjtën kohë, duhet të theksohet se Messi përmes përfaqësuesve të tij, ka kërkuar informacion për evoluimin e ngjarjeve te Barcelona. Kandidati për president, Víctor Font, në një intervistë të fundit është shprehur publikisht se qëllimi i tij është që të bindë Messin që të vazhdojë te Barça edhe sezonin e ardhshëm.
Sapo të zgjidhet presidenti i ri, Leo Messi do të vendosë për të ardhmen e tij. Ofertat nuk do t’i mungojnë, kuptohet as ajo për të qëndruar te “blaugranat”.