Drita ka fituar derbin e madh të Gjilanit, ndaj rivalit me po këtë emër.
Pjesa e dytë ishte ‘fatale’ për të drejtuarit e Gentina Mezanit që pësuan dy gola nga ish-futbollisti i tyre, Betim Haxhimusa,shkruan Gazeta Olle.
Për Betimin, këto ishin dy golat e parë në derbi ndaj ish skuadrës së tij, Gjilanit.
E Haxhimusa në dy rastet e golave u shërbye mjaft mirë nga futbollisti Xhevet Shabani që bëri dy asistime në këtë ndeshje.
Kurse, atmosfera në tribuna ishte e jashtëzakonshme me dy tifozërit në sfondë.
Në tribunën qendrore kësaj radhe ishin të vendosur Intelektualët e Dritës që 1 orë para ndeshjes kishin mbushur tribunën.
Ndërsa, tribuna përballë tyre ishte e rezervuar për Skifterat e Gjilanit që edhe në këtë ndeshje dhuruan spektakël.
E pas ndeshjes, heroi i këtij takimi, Betim Haxhimusa tha se është ndjenjë e veçantë të shënosh në dy taborët, pasi siç dihet Haxhimusa më parë ka luajtur edhe te Gjilani.
“Është një emocion i veçantë të fitosh në derbi. Kam qenë pjesë e Gjilanit, të shënosh në dy anët është e jashtëzakonshme.
Golat ia dedikoj familjes dhe djalit të mixhës, Premtimit të cilit i thash se do të shënoj”, tha Haxhimusa për Supersport pas ndeshjes.