Milot Rashica është kritikuar ashpër për paraqitjen e dobët në ndeshjen e parë për Werder Bremenin këtë sezon, saqë mediet gjermane e cilësuan si “hija e vetvetes” sulmuesin kosovar.
Përfaqësuesi i Kombëtares së Kosovës i luajti minutat e parë në Bundesligë këtë sezon në barazimin e Werderit 1:1 kundër Freiburgut të shtunën, pas një lëndimi të gjatë në gju, raporton GE.
Ai u fut në lojë në vend të Leonardo Bittencourt në minutën e 66-të, por nuk arriti të ketë kurrfarë ndikimi në lojën e Werderit dhe për më tepër u kritikua për paraqitje tejet të dobët.
24-vjeçari i rritur në Vushtrri ishte buzë largimit nga Werderi këtë verë, por dështoi të largohej në fund përkundër dëshirës së madhe dhe ofertave të shumta që i mori.
Trajneri Florian Kohfeldt ia kishte thënë disa ditë pushim Rashicës për ta mbledhur mendjen nga zhgënjimi i dështimit të largimit nga klubi.
Por kjo nuk i ndihmoi shumë Rashicës kur u rikthye në fushë.
“Rashica luajti 24 minuta kundër Freiburg, pasi u fut në lojë në pjesën e dytë me synim për ta bërë dallimin për Werderin, por u duk hija e vetvetes”, shkruan uebsajti i sportit Spox.de.
Rashica i kishte tetë topa në këmbë dhe i bëri dy pasime, të dyja drejt e në këmbët e kundërshtarit. Ai nuk ia doli ta driblojë asnjë lojtar, nuk e bëri asnjë gjuajtje në drejtim të portës, asnjë asist, dhe për më tepër, i humbi katër prej pesë dueleve me kundërshtarët.
Rashica nuk iu bashkua Kombëtares së Kosovës për ndeshjet e tetorit, kundër Maqedonisë së Veriut në play-off për kualifikim në Euro 2020 dhe kundër Sllovenisë e Greqisë në Ligën e Kombeve.
Arsyet e mos ardhjes së tij në kampin dardan u cek lëndimi nga i cili ishte riaftësuar pasi kishte stërvitur tërë javën para ndeshjes historike që Kosova e humbi ndaj Maqedonisë së Veriut.
Drejtori sportiv i Werderit, Frank Baumann, kishte folur për dështimin e largimit të Rashicës nga klubi, duke e pranuar se kjo verë ka qenë e palumtur për 24-vjeçarin.
“Natyrisht se Miloti është i zhgënjyer. Por ai do të zbresë në fushë përsëri për ta përmirësuar gjendjen e vet”, kishte thënë Baumann.