Lionel Messi është parë prej kohësh simboli i Barcelonës, që kur Ronaldinho u largua nga klubi në vitin 2008, megjithatë ai ka pas mundësinë që të nënshkruajë për Real Madrid, por argjentinasi refuzoi.
Duket e pamundur të imagjinohet argjentinasi me fanellën e famshme të bardhë, por kjo ishte me të vërtetë ëndrra dhe plani i Florentino Perez në vitin 2013.
Sipas gazetarit italian, Gianluca Di Marzio, oferta u bë para se të fillonte dominimi evropian i Real Madridit.
“Propozimi nga presidenti i Real Madridit, Florentino Perez , u prezantua në vitin 2013 ku ai ofroi 250 milionë euro për argjentinasin”.
“Këto para fillimisht ishin menduar për rizhvillimin e ‘Santiago Bernabeut’”.
“Sidoqoftë, përgjigja e Messit ishte shumë e prerë, ai tha” Unë nuk do të shkoj në Real Madrid, ju po humbni kohë”, ka shkruar Marzio në librin e tij ‘Grand Hotel Calciomercato’.
Kjo ofertë ishte publikuar më parë nga Football Leaks në vititn 2018, megjithatë Di Marzio ka hedhur më shumë dritë mbi situatën.
E vërteta është se Real Madrid nuk ishte i vetmi klub që u përpoq ta merrte Messin.
Interi, Chelsea, Paris Saint-Germain dhe Manchester City gjithashtu kanë bërë oferta në vitet e shkuara. /Telegrafi/