Kampionati anglez i futbollit mund të pësojë një ndryshim rrënjësor, të kërkuar nga disa prej klubeve kryesore, të cilat duan të rregullojnë disi kalendarin e sfidave i cili i sheh shpesh të luajnë pa ndërprerje edhe në mesjavë për 10 muaj radhazi.
Liverpooli ka ideuar një plan që e quan “Ringjallja” dhe ka si synim që të zbresë në 18 numrin e ekipeve pjesëmarrëse në elitë, duke zhdukur Kupën e Ligës.
Që të gjendet mirëkuptimi edhe në ligat më poshtë, plani parashikon që ata të kenë përfitime financiare të ndjeshme nga paketa televizive e Premier Ligës. Kështu, 25% të të ardhurave do të shkonin për Football League, ndërsa 250 milionë funte do të ishte shifra e vënë në dispozicion të klubeve për të shpëtuar nga kriza financiare që i mbërtheu pas COVID-19.
Pastaj sistemi i ngjitjes dhe zbritjes nga kategoria do të përfshinte edhe play-off mes skuadrave të të njëjtës ligë, por edhe ndërmjet ligave të ndryshme. Një sistem që do të shtonte spektaklin por edhe cilësinë, për të garantuar që çdo vit në elitë të jenë vetëm klubet më të mira.
Një plan që mbështetet nga skuadrat londineze dhe ato të Mançesterit, por për të cilin duhen vota të tjera pasi për t’u miratuar në Asamblenë e Ligës duhen 14 vota mes 20 klubeve.