Sejdiu komenton mungesat te Kosova: Këta dy futbollistë mund ta zëvendësojnë Rrahmanin

Kosova po bëhet gati për ndeshjen e madhe që e zhvillon ndaj Maqedonisë së Veriut të enjten në Shkup në kuadër të gjysmëfinales së Ligës së Kombeve.

Ajo që duhet thënë është se Kosova po e pret këtë ndeshje me shumë telashe, gjë të cilën e tha edhe trajneri Bernard Challandes sot në konferencën për shtyp, kjo për shkak të pandemisë koronavirus por edhe për shkak të lëndimeve.

Milot Rashica, Hekuran Kryeziu, Idriz Voca, Besar Halimi e Vedat Muriqi (ky i fundit në dyshime) nuk mund të luajnë për shkak të lëndimeve, derisa në dyshime është edhe Amir Rrahmani pasi skuadra e tij është prekur nga COVID-19.

Trajneri i mirënjohur kosovar, Gani Sejdiu në një bisedë për “Zeri.info” ka komentuar mungesat e shumta te Kosova me theks te veçantë Vedat Muriqin dhe Amir Rrahmanin që janë në dyshim.

“Mungesat e shumta normal që pakësojnë gjasat për fitore, por edhe kundërshtarët kanë të njëjtin problem. Unë mendoj që kemi alternativa sepse kemi kontingjente të konsiderueshëm të lojtarëve, edhe pse lojtarë si Muriqi dhe Rrahmani është vështirë të zëvendësohen”, ka thënë Sejdiu

“Duhet t’i përshtatemi gjendjes aktuale dhe të mendojmë vetëm për sukses, sepse nuk kemi tjetër alternativë. Sa i përket pozicionit të Rrahmanit, mendoj që përveç Dresheviq, mund të luajnë këtë pozicion edhe Vojvoda, sepse karakteristikat që ka i plotëson për atë pozicion, edhe pse nuk e di se pozicionalisht sa është i përgatitur për atë rol”, ka përfunduar Gani Sejdiu.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *