Sulmuesi kosovar aktualisht është në vetëizolim në Turqi pasi rezultoi pozitiv me COVID-19. Pas një problemi muskulor dhe koronavirusit, sulmuesi kosovar mund të rikthehet vetëm në pjesën e dytë të muajit tetor, që nënkupton se mund t’i humbasë ndeshjet e muajit tjetër me Kosovën
Vedat Muriqi e ka pritur sigurisht një nismë më të mirë të aventurës në Lazio.
“Biancocelesti” janë duke e pritur, kurse ai është bllokuar në Turqi për shkak të koronavirusit.
Përfaqësuesi kosovar nuk ka simptoma, por është vetëizoluar për dy javë.
Por, kur pritet të rikthehet ai në fushat e blerta.
Sipas mediave italiane, 26 vjeçari mund të debutojë në kampionatin italian vetëm pas ndeshjeve të Kombëtareve.
Ai nuk është i përgatitur për shkak se së fundmi kishte pësuar lëndim, i cili ia kishte pamundësuar paraqitjen me Përfaqësuesen e Kosovës në ndeshjet e shtatorit në Ligën e Kombeve ndaj Moldavisë dhe Greqisë.
Dhe, koronavirusi do ta detyrojë të mbetet edhe dy javë pa ushtruar me ekipin dhe kjo nënkupton se ai me gjasë do të mbetet larg “Dardanëve” edhe në ndeshjet e tetorit, e mbi të gjitha në duelin jetik me Maqedoninë e Veriut, që luhet më 8 të muajit tjetër.
Lazio nga ana e saj pret që ish-futbollisti i Fenerbahçes të zbresë në fushë vetëm më 17 tetor, në ndeshjen Sampdoria – Lazio.
Kështu, Muriqi do të rikthehej në kohën e duhur për t’u përgatitur sa më mirë për angazhimet në Ligën e Kampionëve.
Lazio do të luajë në Champions më 20 ose 21 tetor.