Debati se kush është lojtari më i mirë mes Leo Messit dhe Cristiano Ronaldos vazhdon dhe nuk do të përfundojë kurrë.
Gjithsesi, për Emanuel Petit nuk ka dilema. Ish-kampioni i botës me Francën, i cili provoi të luante me Barcelonën një sezon, nuk e krahason “pleshtin” me CR7.
Në një prononcim për Paddy Power, ish-mesfushori shpjegon se pse Leo Messi nuk do të bënte mirë në Angli, teksa deklaron se tërheqja e tij nga futbolli është shumë afër.
“Messi nuk është Cristiano Ronaldo. Mendërisht nuk është e njëjta makinë. Ronaldo është një monstër, ndërsa Messit i kanë mbetur një ose dy vite në nivel të lartë. Sinqerisht, nuk mendoj se do të përshtatej me intensitetin e Anglisë. Atij nuk i pëlqen të mbyllet dhe të përballet, në Spanjë ai është i mbrojtur. Edhe duke luajtur përkrah lojtarëve të shkëlqyer të Barcelonës, ai nuk do të ketë të njëjtin ritëm ose aftësinë për të dribluar”, tha ai, raporton abcnews.
“Jam i sigurt se ai e di se fundi nuk është larg. Do të ishte një kënaqësi për tifozët britanikë ta shihnin në Premier League, por nuk e kuptoj pse një klub i madh si Manchester City duhet të blejë Messin në moshën 32 apo 33 vjeçare. Nëse City do të kishte dashur ta blinte atë, duhet ta kishte marrë para disa vitesh”, thekson Petit.