Sot është hedhur e zeza mbi të bardhën. Sot u jetësua ëndrra e shumë shqiptarëve.
Pas një pune të gjatë dhe intenstive, në Tiranë, u nënshkrua marrëveshja për formimin e Ligës Unike mes Kosovës dhe Shqipërisë.
Një ligë me tetë skuadra. Katër më të mirat nga të dy vendet. Ëndrra e kamotshme bëhet realitet për formimin e një lige mes dy vendeve shqiptare.
Saktësisht, klubet nga Kosova që do të marrin pjesë në këtë ligë janë Sigal Prishtina, Rahoveci, Ylli dhe Peja.
Ndërkaq, nga Shqipëria do të marrin pjesë Teuta, Goga Basket, Vllaznia dhe Partizani.
Federata e Basketbollit e Kosovës (FBK) dhe Federata e Basketbollit e Shqipërisë (FSHB) kanë punuar një kohë të gjatë për këtë projekt madhor, që sot u bë realitet.
Marrëveshjen e nënshkruan, Presidenti i FSHB-së, Z. Avni Ponari, kryetari i FBK-së, Z. Arben Fetahu, në praninë e Znj. Besa Shahini, Ministre e Arsimit, Sportit dhe Rinisë në Shqipëri dhe Znj. Vlora Dumoshi, Ministre për Kulturë, Rini dhe Sport e Kosovës.
Në këtë ceremoni mori pjesë edhe kryeministri shqiptar Edi Rama.