Trajneri Tahir Batatina, që është edhe donator në klub, ka zbuluar për KOHËN se së bashku me tre vëllezërit e tij kanë shpenzuar 300 mijë euro për të sjellë në “Zahir Pajaziti” të gjithë lojtarët të cilët i kishin në listë: Ahmed Januzi, Ahmet Haliti, Liridon Leci, Engull Hoti, Gentrit Begolli, Edon Sadriu, Edon Zeqiri, Kushtrim Shabani, Alban Ramadani, Loris Kikkri, Arlis Shala, Ardit Peposhi, Eglentin Gjoni dhe Sava Gardasheviq. Ai thotë se me këto përforcime synon daljen në Evropë, synim që e ka pasur në vitet e fundit, por nuk e ka arritur.
“Kemi arritur marrëveshje me lojtarët të cilët i kisha në listë për t’i transferuar te Llapi. Mund të them se për t’i realizuar të gjitha këto përforcime, i kemi shpenzuar 300 mijë euro vetëm për kontrata, pa i llogaritur pagat mujore të lojtarëve. Është shumë e madhe e parave, e sidomos në kohë pandemie, por falë angazhimit dhe punës së madhe ia kemi dalë me shumë sukses. Projekti im që e kam prezantuar edhe të tre donatorët e tjerë në klub, që janë vëllezërit Batatina, është përkrahur dhe do të vazhdojmë. Ka qenë pandemi, por ia kemi dalë pasi jemi stabil”, tha Batatina.
“Paga e një futbollisti shkon deri në 6500 euro. Janë dy lojtarë të cilët i kanë pagat më të larta, pasi ata nuk mund t’i ketë çdo ekip në Kosovë. Në total, me kontratat e reja që i kemi bërë, shpenzimet mujore shkojnë deri në 50-60 mijë euro. Në kampionatin e ri që do të nisë shumë shpejt synojmë që ta mbyllim me rreth 800 mijë euro”.
Batatina theksoi se afati kalimtar i verës ende nuk ka përfunduar për ekipin që ai drejton. Sipas tij, ekipi ka nevojë edhe për një portier cilësor që do ta rriste konkurrencën brenda ekipit.
“Do ta transferoj vetëm edhe një portier cilësor dhe më përvojë, si dhe një talent që po i mahnit të gjithë. Pas këtyre prezantimeve që do t’i bëjmë, do ta mbyllim afatin kalimtar. Te portierët e kemi Giacomo Navën dhe Arlis Shalën që është edhe pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, kurse për portierin Loris Kikkri, jemi në bisedime për ta huazuar. Ardhja e një portieri cilësor na duhet për të qenë të kompletuar dhe për ta shtuar konkurrencën në ekip”, shtoi Bataina.