Skuadra e Milot Rashicës, Werder Bremen nuk po di të këndellët në Bundesligën gjermane dhe tashmë është kandidati kryesor për rënie nga liga
Sot janë zhvilluar ndeshjet e xhiros së 21 në Bundesligën gjermane ku për 90 minuta ka luajtur edhe Milot Rashica për Werder Bremen por edhe Valon Berisha për Fortuna Dusseldorf.
Werder Bremen-Union Berlin
Werder Bremen ka regjistruar sot humbjen e 12-të në Bundesligën gjermane këtë sezon duke mbetur në vendin e parafundit me vetëm 17 pikë pasi që sot ka humbur me rezultat 0-2 kundër Union Berlinit.
Pjesa e parë e kësaj ndeshje përfundoi me rezultat të barabartë 0-0 por në pjesën e dytë Union Berlin shënon dy gola. Fillimisht në minutën e 52-të do të shënonte Marius Bulter, kurse rezultati do të dyfishohej në minutën e 72-të me të njëjtin lojtar.
Kjo fitore ishte e mirëseardhur për Union Berlin pasi që e ngrit atë në vendin e 11-të me 26 pikë, kurse skuadra e Milot Rashicës është në vendin e 17 me vetëm 17 pikë këtë sezon.
Wolfsburg-Fortuna Dusseldorf 1-1
Skuadra tjetër ku luan mesfushori kosovar, Valon Berisha që u transferua gjatë janarit nga Lazio, Fortuna Dusseldorf ka arritur edhe një rezultat pozitiv sot.
Ata kanë barazuar sot në Wolfsburg me rezultat 1-1.
Madje skuadra e Valon Berishës ishte në avantazh deri në minutën e 50 të ndeshjes.
Fortuna kaluan të parët në epërsi në minutën e 13 me anë te Matthias Zimmermann, kurse rezultatin e barazoi Renato Steffen në minutën e 50-të.
Edhe skuadra e Valon Berishës gjendet në zonën e rrezikshme të rënies nga Bundesliga gjermane, por ajo gjendet një pozitë më lartë se skuadra e Milot Rashicës, por me pikë të njëjta, pra 17.
Wolsfburgu nga ana tjetër mbetet në vendin e 10-të me 28 pikë dhe barazimi i sotëm është hap fals për këtë skuadër pasi që e synon plasmanin s’paku në Europa Ligë sezonin e ardhshëm.