Në konferencën e sotme për shtyp të Kombëtares kuqezi dolën futbollistët Armando Sadiku dhe Qazim Laçi. Sulmuesi 29-vjeçar rikthehet në përfaqësuese pas një mungese disi të gjatë për arsye dëmtimi.
“Ndihem shumë mirë, është kënaqësi e madhe të veshësh bluzën e Kombëtares. Shpresoj të jap më të mirën dhe të ndihmoj ekipin në këto 2 ndeshje. Ambienti? Është i njëjti. Thjesht disa janë lojtarë të rinj që nuk i kisha takuar akoma. Jam i bindur që do të marrim maksimumin në këto 2 ndeshje. Kualitetet brenda ekipit janë shumë të mira.
Golat në Kombëtare: Goli është si ushqim për sulmuesin. Kur shënoj e kam kryer detyrën time. Në ekipin Kombëtar, është një ndjenjë që çdo futbollist do ta përjetojë që të shënojë. Do të mundohem që të kthehem te goli dhe të ndihmoj ekipin.
Kundërshtarët: Bjellorusia dhe Lituania? Ne duhet të shikojmë ekipin tonë. Duhet ta marrim ndeshjen shumë seriozisht që në minutat e para. Sot nuk ka asnjë ekip të dobët, për të arritur objektivin tonë që janë 3 pikët. Do të mundohem të jap më të mirën. Kam luajtur 36 ndeshje si asnjëherë në karrierën time. Në grumbullimet e tjera, nuk kam ardhur njëherë për arsye familjare njëherë për dëmtim. Gjithmonë do të jap më të mirën time për ekipin.
Këshillat e Salihit: Na ndihmon gjatë gjithë kohës në stërvitje. Nuk kemi pasur shumë kohë për të folur. Do kemi kohë, pse jo të na tregojë ndonjë sekret si t’i shënojmë Bjellorusisë. Në letër jemi favoritë. Duhet ta marrim çdo ndeshje seriozisht. Kualitetet i kemi të shumta në ekip. I kemi të gjithë mundësitë të dalim të parët.
E ardhmja e Sadikut – Për momentin, e mbylla kontratën me Levanten, jam lojtar i lirë. Jam i përqendruar në Kombëtare. Mbas grumbullimit do të vendosim ku do të vazhdoj karrierën.