Presidenti i Barcelonës, Josep Maria Bartomeu, e ka caktuar një takim emergjent të jashtëzakonshëm të hënën, më 17 gusht, pas eliminimit turpërues të Barcelonës nga Liga e Kampionëve.
Sezoni 2019/20 përfundoi të jetë i pari në 12 vjet pa asnjë trofe për Barcelonën, që pësoi eliminim turpërues në çerekfinale të Ligës së Kampionëve të premten, kur u mposht me rezultat 8:2 nga Bayern Munichu, transmeton Gazeta Express.
Menjëherë pas kësaj ndeshje, presidenti i klubit, Josep Maria Bartomeu, paralajmëroi ndryshime duke thënë se disa vendime veçse ishin marrë para ndeshjes, ndërsa disa vendime të tjera do të merreshin shumë shpejt.
E për këto vendime të paralajmëruara pritet të diskutohet në takimin emergjent të caktuar për të hënën, ku do të analizohet situata e klubit në të gjitha nivelet.
Mediumi spanjoll RAC1 raporton se gjatë takimit do të diskutohet për zëvendësues potencial për Quique Setienin në postin e trajnerit dhe ka mundësi që të thirren edhe zgjedhjet e hershme, opsion ky që megjithatë ka pak gjasa të ndodhë.
Po i njëjti medium raporton se të hënën do të bëhet të ditura edhe disa ndryshime në pozitat e larta në Barcelona, përderisa posti i Setien si trajner ishte në dyshim edhe para disfatës tronditëse të së premtes në Lisbonë.