Bayern Munchen ia ka shkaktuar sonte një prej humbjeve më të turpshme në histori Barcelonës, në çerekfinalen e Ligës së Kampionëve.
Gjermanët i kanë mundur katalunasit me rezultat të pabesueshëm, 8:2, duke siguruar kështu biletën e gjysmëfinales, përcjellë Olle.
Presidenti i klubit, Josep Bartomeu, ka paralajmëruar ndryshime të mëdha.
“Kjo është një natë e vështirë, humbja është shumë e vështirë. Ne nuk ishim ekipi që jemi, apo klubi që përfaqësojmë”, deklaroi Bartomeu.
“Sot ishte një katastrofë, dhe tani e tutje duhet të marrim disa vendime. Disa që kishim menduar tashmë t’i bënim, dhe të tjerët do t’i mendojmë në ditët e ardhshme”.
“Sot nuk është një ditë për të folur për këtë, sot ne marrim një humbje kaq të dhimbshme. U kërkojmë falje tifozëve për këtë”, shtoi ai.
Trajneri i Barcelonës e ka cilësuar të dhimbshme, poshtëruese e gjithçka tjetër këtë humbje të skuadrës së tij.
“Vërtetë e dhimbshme. Zhgënjim i madh. Barcelona është një klub i madh. Kjo bën dëm dhe diçka me siguri do të ndryshojë”, ka deklaruar Setien.
“Është shumë herët të mendoj nëse do të vazhdoj apo jo, kjo nuk varet nga unë”.
“Do të ketë reflektim duke pasur parasysh rëndësinë që ka për Barcelonën një humbje kaq poshtëruese”, shtoi ai.
Pas ndeshjes, Gerrard Pique ka sulmuar presidentin Bartomeu.
“Kemi prekur fundin dhe duhet të bëjmë një ndryshim në të gjitha pjesët, jo vetëm lojtarët. Kemi arritur në një pikë pa kthim, nuk po bëjmë një rrugë të duhur dhe rezultatet thonë kështu”, deklaroi Pique.
“Shihet prej disa vitesh, pavarësisht nga lojtarët e trajnerët. Ky është realiteti, është e vështirë, kemi arritur deri në një pikë ku nuk ka shumë më tepër për të bërë”.
“Sot është një performancë e papranueshme. Nëse doni apo duan të iki, unë iki pa problem”, shtoi ai.