Shpenzimet marramendëse të FC Prishtinës në udhëtimin për Gjibraltar
Për herë të katërt radhazi, pas pranimit të Kosovës në shtëpinë më të madhe të futbollit evropian, UEFA, klubi më i madh në vend, FC Prishtina do të marrë pjesë në garat ndërkombëtare.
Klubi me më së shumti trofe në futbollin kosovar do ta përfaqësojë edhe këtë vit Kosovën në rundin preliminar të Ligës së Evropës, raporton “Zeri.info”.
Në ndeshjen e parë, sërish, FC Prishtina do të udhëtojë drejt Gjibraltarit, ku kësaj radhe do të përballen me Lincoln Red Imps.
Edhe vitin e kaluar, prishtinasit janë përballur në Gjibraltar me St Joseph, skuadër nga e cila janë eliminuar.
Distanca prej Prishtinës në Gjibraltar është 2,366 kilometra, dhe udhëtimet si kjo dinë të jenë mjaft të lodhshme, sidomos tani shkaku i pandemisë COVID-19, si dhe shpenzimet janë marramendëse.
Remzi Ejupi, numri një i FC Prishtinës, në një prononcim për “Zeri.info” ka thënë se udhëtimi për në Gjibraltar, është tejet i kushtueshëm.
“Udhëtimi në Gjibraltar bazuar edhe në të kaluarën na kushton afër 100 mijë euro”, ka deklaruar të hënën Remzi Ejupi.
Megjithatë, sivjet, lajm i mirë për FC Prishtinën është se nga UEFA do të arkëtojnë 40 mijë euro për t’i lehtësuar shpenzimet e udhëtimit.
Ndryshe, ndeshja Lincoln Red Imps – FC Prishtina do të luhet më 18 gusht, në një ndeshje të vetme, pa atë të kthimit në kryeqytetin tonë.