Portieri Wojciech Szczesny i ka paralajmëruar rivalët e Juventusit në Ligën e Kampionëve se Cristiano Ronaldo është gati ta performojë një tjetër mrekulli në garën prestigjioze evropiane.
Bardhezinjtë po përgatiten për rinisjen e sezonit në Ligën e Kampionëve, të cilat do ta fillojnë me përballjen e së premtes kundër Lyonit në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve.
Skuadra e Maurizio Sarrit e kishte humbur ndeshjen e parë kundër Lyonit me rezultat 1:0, mirëpo të gjithë në Juventus janë shprehur optimistë se mund ta përmbysin rezultatin në ndeshjen kthyese për të kaluar në çerekfinale.
Juventusi u përball me një sfidë të ngjashme në po të njëjtën fazë gjatë sezonit të kaluar, kur Atletico Madridi e kishte fituar ndeshjen e parë me epërsi prej dy golash.
Megjithatë, Ronaldo e kishte shpëtuar Juventusin me het-trikun e tij të shënuar në ndeshjen kthyese. Szczesny beson se pesë-herë fituesi i Topit të Artë dëshiron ta përsërisë një mrekulli të tillë sërish.
“Skuadrën e shoh të gatshme për këtë ndeshje. Jemi në një ambient të ngjashëm si vitin e kaluar, para ndeshjes kundër Atletico Madridit”, ka thënë portieri i Juventusit për Tuttosport.
“Ne mund ta arrijmë të njëjtën gjë këtë vit. Sërish het-trik nga Ronaldo? Askush në botë nuk ka dyshim se Cristiano mund ta bëjë këtë sërish. Si zakonisht, ai e bën dallimin në momentet vendimtare dhe tani është gati ta performojë një tjetër mrekulli”.
“Ne po luajmë për një synim të rëndësishëm, nuk është e vështirë të motivohesh për këtë. Të gjithë jemi të përqendruar. Lyoni duket në formë, duket se është të luajë dhe do ta shohim kush do t’i arrijë çerekfinalet”.