Feronikeli po vazhdon të punojë fuqishëm në afatin kalimtar të verës për të ndërtuar një organikë pretendente për të rikthyer titullin kampion në “Rexhep Rexhepi”.
Gazeta Sheshi kupton përmes burimeve të afërta me klubin nga Drenasi, tashmë tre herë kampionët e vendit janë në bisedime të anvancuara me futbollistin brazilian Mateus Lima Cruz.
Në fakt gjithçka duhej të ishte mbyllur brenda javës, pasi që palët kishin gjetur dakordin, por ende po mungon zyrtarizimi.
Mateus Cruz aktualisht është futbollist i lirë, pasi që kontrata me skuadrën kroate Slaven Belupo ka përfunduar.
Presidenti i klubit, Naser Ramaj, ka vendosur ta hap kuletën dhe mos të kurset në pagen e sulmuesit 27 vjeçar.
Përveç rolit si sulmues ekstrem, ai gjithashtu mund të bëjë edhe rolin e sulmuesit të dyte, ose mesfushorit të avansuar.
Karrierën ai e ka nisur në Brazil, teksa ka ‘milituar’ në disa klube të këtij vendi, ndërkohë që në vitin 2015 ishte pjesë e Skënderbeut në stinorin vjeshtor të kampionatit, ndërsa në pranverë kaloi te Kukësi.