7-vjetori i anëtarësimit në UEFA u shënua me 7-vjeçarët e 7 regjioneve

Përvjetori i shtatë i anëtarësimit në UEFA nga Federata e Futbollit e Kosovës së Kosovës është shënuar me eventin “7 për 7”, në Kampin Nacional në Hajvali. Ky aktivitet u përcoll nga afër nga presidenti Agim Ademi, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së si dhe gjenerata e artë e futbollit të Kosovës e ish-futbollistë të periudhës së rezistencës.

Me 7 ekipe të përziera (vajza e djem) të grupmoshës 7-vjeçare nga shtatë Lidhjet Rajonale të Futbollit, “7 për 7”, u zhvillua në një atmosferë argëtuese dhe festuese, por edhe në një atmosferë të përkushtimit dhe respektit për historinë sa sakrifikuese, po aq të lavdishme të futbollit kosovar.

Në këtë turne të veçantë, djemtë dhe vajzat u bënë bashkë, duke treguar se futbolli nuk ka asnjë dallim midis gjinisë dhe se kjo lojë është unifikues i fuqishëm i shoqërisë. Përkundër faktit se eventi u zhvillua në formë turneu me sistem garues, FFK u përkujdes që secili ekip të ndihet triumfues dhe të marrë nga një trofe, derisa për vajzat dhe djemtë, u ndanë fanellat dhe çantat e veçanta me mbishkrimin e eventit “7 për 7” – Kosova 7 vjet në UEFA.

Shënimi i përvjetorit të shtatë të anëtarësimit në UEFA me një aktivitet të tillë ishte mënyrë e përsosur për t’i inkurajuar fëmijët që të vazhdojnë të luajnë futboll dhe të ndjekin ëndrrat e tyre, pasi që futbolli shpeshherë është një rrugë e vështirë, por shumë e vlefshme drejt arritjes së majave të suksesit.

Pa dyshim ‘7 për 7’ do të mbetet gjithmonë në kujtesën e këtyre njomakëve, të cilët në të ardhmen mund të jenë emra të njohur në arenën vendore dhe atë ndërkombëtare.

Nëpërmjet aktiviteteve të tilla FFK-ja, njëherësh, synon të rrisë ndërgjegjësimin e fëmijëve dhe të rinjve për rëndësinë e futbollit dhe përfitimet që sjell ai për zhvillimin e tyre si individë por edhe për shoqërinë në tërësi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *