“Zëri i Amerikës” bën me dije se Remdesiviri, një ilaç eksperimental antiviral, ka rezultuar i efektshëm në trajtimin e pacientëve me COVID-19. Ky lajm i mirë në këtë kohë pandemie globale u bë i ditur të mërkurën nga kreu i Institutit Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive, doktori me famë botërore, Anthony Fauci: “Remdesiviri ka një efekt të qartë e të rëndësishëm pozitiv në zvogëlimin e kohës për t’u shëruar. Ai është një ilaç, që mund ta bllokojë këtë virus.
Më 21 shkurt, në Institutin Kombëtar për Alergjitë dhe Sëmundjet Infektive nisi një gjykim ndërkombëtar i një prove klinike mbi efektin e placebos te qindra pacientë me koronavirus të shtruar në spital. Pacientëve që trajtoheshin me Remdesivir u duhej 11 ditë kohë për t’u shëruar, krahasuar me 15 ditë që u nevojiteshin të tjerëve, që iu jepej placebo.
Sa herë ka prova të qarta se një ilaç funksionon, kemi detyrimin etik që tua tregojmë menjëherë njerëzve që janë në grupin e atyre që trajtohen me placebo, që dhe ata të mund të kenë qasje. Provat e tjera që po kryehen tashmë me ta kanë një standard të ri të kujdesit”.
Remdesiviri, një ilaç antiviral i prodhuar nga kompania amerikane “Gilead Sciences”, ka përdorim intravenoz dhe ndërhyn te një enzimë që riprodhon materialin gjenetik viral. Në testet e kryera te kafshët, kundër SARS-it dhe MERS-it, sëmundje të shkaktuara nga koronaviruse të ngjashme, Remdesiviri ka ndihmuar në parandalimin e infeksionit dhe uljen e ashpërsisë së simptomave.
Sidoqoftë, ilaçi nuk është miratuar për përdorim të mundshëm nga asnjë vend në botë. Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave pritet të japë të mërkurën autorizimin për përdorimin urgjent të tij për trajtimin e pacientëve me COVID-19. Një studim tjetër me Remdesivir nuk ka dalë në ndonjë përfundim pozitiv, çështje për të cilën gazetarët e pyetën zotin Fauci.
“Është një studim i mangët, – tha Fauci për studimin e botuar në revistën mjeksore “The Lancet”, sipas të cilit Remdesiviri nuk ishte efektiv në trajtimin e pacientëve me COVID-19. – Nuk është studim adekuat”.
Të mërkurën, presidenti Donald Trump la të kuptohet se shifra e lartë e të prekurve në SHBA është “tregues i mundësive superiore testuese të vendit”: “Të mendosh që Shtetet e Bashkuara kanë më shumë raste sesa Kina.. A e beson vërtet dikush këtë gjë?!”
Kreu i “Shtëpisë së Bardhë” fajësoi sërisht Kinën, vendin ku raportua rasti i parë me koronavirus, si dhe Organizatën Botërore të Shëndetësisë, lidhur me pandeminë: “OBSH na keqinformoi, u soll si një instrument i Kinës”.
Ky studim nuk ishte i hapur për publikun deri dje dhe kjo është arsyeja pse nuk ishim në dijeni që aspekti i tij farmaceutik për Qendrën Klinike të Institucionit Nacional të Shëndetësisë (NIH) u drejtua nga Dr. Zana Blaku-Tanushi, që është me origjinë nga Prishtina. Dr. Zana Blaku-Tanushi punon si farmaciste klinike në fushën e kërkimeve shkencore në mjekësi, në NIH.