Tirana ka njoftuar së fundmi një goditje në merkato, teksa kanë afruar sulmuesin e Shqipërisë, Taulant Seferi, i cili vjen nga skuadra zvicerane e Jang Bojsit.
Goditje e bujshme kjo e kampionëve të Shqipërisë që e kanë nisur vitin me një afrim cilësor në ekip, duke i bërë trajnerit Nevil Dede një dhuratë të madhe. 24-vjeçari vjen nga një kampionat cilësor si ai zviceran, ku ka luajtur për disa skuadra, duke filluar nga Jang Bojs, për të vazhduar me Ksamaksin, Uinterthur dhe Uolen.
Seferi afrohet te Tirana në formën e huazimit deri në muajin qershor, teksa më pas do të rikthehet përsëri te skuadra e Jang Bojs në Zvicër, e cila zotëron edhe kartonin e tij. Tirana do të kërkojë përsëri fitimin e titullit kampion dhe këtë e tregon qartë edhe afrimi i një lojtari me peshë si ai i Seferit, i cili ka treguar paraqitje të shkëlqyera edhe me Kombëtaren e Shqipërisë.
Njoftimi i klubit:
Klubi I Futbollit Tirana njofton afrimin e parë të merkatos së Janarit. KF Tirana njofton arritjen e marrëveshjes me klubin e madh europian Young Boys për huazimin e sulmuesit Taulan Seferi. Pas bisedimeve te orëve të vona mes dy presidencave u arrit bashkëpunimi për të patur në organikën e ekipit tone 24 vjeçarin. Seferi është prej kohësh pjesë e klubit zviceran dhe gjithashtu lojtar I kombëtares shqiptare të futbollit ku ka bërë paraqitje tejet dinjitoze. Klubi I uron suksese me fanellën bardheblu.