Kosova do t’i ketë dy ndeshje shumë të rëndësishme në kuadër të parakualifimeve evropiane për Kupën e Botës 2023 në basketboll.
Dardanët do të luajnë në shtëpi përballë Luksemburgut (18 Shkurt) dhe Sllovakisë (20 Shkurt), në ndeshjet e fundit në Grupin B. Të dy takimet zhvillohen nga ora 19:00.
Takimet do të luhen pa praninë e tifozëve për shkak të masave anti Covid-19.
“Për informacione rreth këtyre dy ndeshjeve, por edhe të gjitha takimeve të Grupit B, që do të zhvillohen në Prishtinë, do të mund të informoheni në faqen zyrtare të FBK-së dhe rrjetet e saj sociale. Për shkak të masave anti Covid-19, takimet do të zhvillohen pa shikues dhe pa media. Kjo është në bazë të protokollit nga FIBA, që ka kërkuar që të respektohen të gjitha rregullat në përpikëri dhe nuk do të ketë asnjë lëshim për askënd”, thuhet në njoftimin e FBK-së.
Tifozët e Kosovës “Dardanët” gjithmonë kanë përkrahur basketbollistët e Kosovës, megjithatë, kjo fatkeqësisht nuk do të jetë e mundur kësaj radhe përkundër përpjekjeve të FBK-së.
Të gjitha ndeshjet e Dritares së Tretë të Grupit B do të zhvillohen në Prishtinë. Ky ishte vendimi i mëhershëm nga Bordi i FIBA Evropës, duke i besuar edhe një ngjarje të rëndësishme Federatës së Basketbollit të Kosovës.
Orari
18 Shkurt
16:00 Sllovakia-Islanda
19:00 Kosova-Luksemburgu
20 Shkurt
16:00 Luksemburgu-Islanda
19:00 Kosova-Sllovakia.