Zyrtare: Erikseni rikthehet në futboll duke nënshkruar me klubin e Premierligës

Christian Erikseni është rikthyer në futboll, shtatë muaj pas arrestit kardiak në fushë gjatë Euro 2020, duke nënshkruar marrëveshje me klubin e Premierligës Brentford.

Brentfordi njoftoi të hënën herët se mesfushori danez Eriksen ka nënshkruar marrëveshje gjashtëmujore me klubin.

“Brentford FC konfirmon se ka nënshkruar me mesfushorin e Danimarkës Christian Eriksen. 29-vjeçari e nënshkroi marrëveshjen pasi i kaloi testet mjekësore”, thuhet në njoftimin e klubit anglez.

Ai do të luajë për Brentfordin deri në përfundim të sezonit 2021/22.

Erikseni u largua nga Interi duke e shkëputur marrëveshjen me pajtim dypalësh, pasi autoritetet mjekësore në Itali ia ndaluan atij të luajë në Serie A për shkak se e ka një defibrillator të vendosur në zemër.

29-vjeçari i ishte bashkuar gjigantit italian në vitin 2020 nga klubi i Premierligës Tottenham.

Megjithatë, ai tani i ka kaluar testet mjekësore dhe është i shëndoshë për të luajtur përsëri dhe do të bëhet lojtari i parë profesionist në Angli që luan me defibrilator në zemër.

Në të kaluarën, Erikseni ka thënë se zemra e tij nuk është pengesë që ai të luajë futboll.

Ai madje synon të luajë për Danimarkën në Kampionatin Botëror 2022, i cili do të mbahet në Katar në nëntor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *