Granit Xhaka pritet ta udhëheqë përfaqësuesen e Zvicrës në ndeshjen e 18 nëntorit ndaj Kosovës në Prishtinë.
Selektori i Zvicrës, Murat Yakin, të mërkurën shpalli listën për dy ndeshjet e fundit kualifikuese për Kupën e Botës 2026. Zvicra më 15 nëntor e pret Suedinë në Gjenevë, ndërsa më 18 nëntor luan në “Fadil Vokrri” me Kosovën.
Kapiteni Xhaka është në listë dhe pritet të startojë në të dy ndeshjet.
Zvicrës i mungon njëri prej lojtarëve më të mirë, Remo Freuler, që luan përkrah Xhakës në mesfushë.
Prej futbollistëve shqiptarë janë ftuar edhe Adrian Bajrami e Andi Zeqiri.
Dy xhiro para fundit, Zvicra udhëheq në grup me 10 pikë. Shtatë i ka Kosova, tri Sllovenia dhe vetëm një Suedia. Zvicra synon të kualifikohet direkt në Botëror përmes vendit të parë në grup. Vendi i dytë dërgon në barazh.
Nëse Zvicra nuk fiton me Suedinë dhe Kosova fiton në Lubjanë ndaj Sllovenisë, ndeshja në “Fadil Vokrri” do të jetë finale për vendin e parë në grup dhe kualifikimin në Botëror.
