Zvicra e ‘pushtuar’ nga futbollistët shqiptar

Tre futbollistë të rinj shqiptarë gjatë fundjavës së shkuar kanë debutuar në Superligën e Zvicrës. Te Baseli u paraqitën Elis Isufi e Tician Tushi, derisa Arian Kabashi te Sioni.

Ishin edhe tre prej 15 sa luajtën në total të shtunën dhe të dielën për dhjetë ekipet e elitës së futbollit zviceran.

Në fakt, numri dhe ndikimi i futbollistëve shqiptarë është edhe më i madh. Plot 30 futbollistë janë pjesë e tetë klubeve të Superligës zvicerane.

Në ndeshjen Baseli – Xamaxi (2:0), të zhvilluar të shtunën, ishin tetë futbollistë shqiptarë. Titullarë te Baseli ishin Elis Isufi dhe Tician Tushi, kurse u aktivizuan edhe Lirik Vishi dhe Taulant Xhaka. Kemal Ademi ishte në stol, derisa në anën tjetër startues ishin Samir Ramizi dhe Taulant Seferi, kurse Arbenit Xhemajli qëndroi në stol.

Të shtunën në ndeshjen Zuerich – Servette, që po ashtu përfundoi me rezultatin 2:0, startues te Zuerichu ishin Toni Domgjoni, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli. Ky i fundit shënoi gol në fitore, kurse Mirlind Kryeziu u aktivizua në minutën e 81-të. Ndërkohë te Servette rast për të luajtur pati Kastriot Imeri.

Titullar në fitoren e Luzernit përballë Thunit të dielën me rezultatin 3:0 ishte Lorik Emini, që luajti vetëm pjesën e parë, kurse Betim Fazliji u paraqit në fitoren e St. Gallenit ndaj Sionit 2:1. Te Sioni debutues ishte ish-mbrojtësi i Shpresave të Kosovës, Arian Kabashi. Te Sioni luajti edhe Pajtim Kasami, kurse Ermir Lenjani nuk ishte i pranishëm në këtë takim.

“Jam i kënaqur me paraqitjen time të parë, por ndiej keqardhje që humbëm, sepse na duhen pikët. Ka kohë që jam duke e pritur këtë moment dhe e kam ditur se është koha që unë të debutoj, tani kur kemi ndeshje çdo tre apo katër ditë”, ka thënë Kabashi të dielën për KOHËN.

Baseli kampion për numrin e lojtarëve shqiptarë

Ish-sulmuesi i Përfaqësueses së Zvicrës dhe skuadrave të shtetit helvetik, Milaim Rama, ka thënë se shqiptarët dominojnë në futbollin zviceran për nga numri. Madje, thotë se mund të llogariten se janë edhe për nga cilësia më të mirë.

“Nuk dua ta humb mundin tim dhe të gjeneratës pas meje, sepse kemi lënë gjurmë në futbollin zviceran. Jam krenar për atë që kam bërë. Kur Kosova u pranua në UEFA dhe FIFA kemi menduar që ndoshta tash mund të na shohin me një sy tjetër, por përkundrazi është çmuar puna e tyre në akademitë e klubeve të Superligës. Ne shqiptarët jemi ‘Brazili i Ballkanit”. Numri i shqiptarëve nëpër klubet e Zvicrës është për t’u marrë shembull dhe shpresoj të vazhdojnë kështu. Kjo gjeneratë duhet të na bëjë krenarë edhe neve. Zvicra është një shtet demokratik dhe ai që meriton nuk ia humb mundin”, ka thënë Rama të dielën për KOHËN.

Në të vërtetë, vetëm dy klube nuk kanë asnjë futbollist shqiptar, Young Boys dhe Thuni.

Me më së shumti futbollistë shqiptarë është Baseli – plot shtatë. Pas Baselit, me nga pesë janë Zuerichu e Xamaxi, pastaj nga katër futbollistë Xamaxi, Luzerni dhe Sioni, nga dy St. Galleni e Servette, kurse Lugano vetëm një.

“Zvicra me të vërtetë është një makineri prodhuese për shumë shtete. Dhe për neve si Kosovë është pozitive, sepse jo të gjithë lojtarët do të kenë hapësirën të luajnë për Zvicrën. Ndonëse numër më të vogël, edhe Shqipëria mund të përfitojë nga lojtarët që i kanë në Zvicër”, është shprehur Rama.

Në fakt, më herët është raportuar në mediumet zvicerane se për nga numri i lojtarëve, komuniteti i shqiptarëve dominon në klubet e Zvicrës.

Rama ka shtuar se numri edhe më i madh është te kategoritë e reja, e po ashtu edhe në “Challenge League”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *