Federata Zvicerane e Futbollit ka konfirmuar se as mbrojtësi Luca Jaquez nuk do të jetë në gjendje për të luajtur ndaj Kosovës.
Jaquez ishte në tribunë në ndeshjen e fundit ndaj Suedisë, pasi nuk u shërua me kohë nga lëndimi.
Ai nuk ka marrë pjesë sërish në stërvitjen e “Helvetikëve” kësisoj nuk do të udhëtojë fare për në Kosovë.
“Luca Jaquez nuk do të udhëtojë për në Kosovë. Ai nuk ka qenë në gjendje të vazhdojë stërvitjet me ekipin, prandaj të luajë të martën do të ishte shumë shpejtë”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Jaquez ishte lënë në tribunë nga përzgjedhësi Murat Yakin së bashku me qendërmbrojtësin shqiptar Adrian Bajrami, me këtë të fundit që më shumë gjasë do t’i ndodhë e njëjta edhe në Prishtinë.
Zvicra do të udhëtojë të hënën për në Kosovë, ku të martën e zhvillon përballjen e fundit në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës 2026.
Kujtojmë, mënyra e vetme që Kosova ta sigurojë një vend direkt në Botëror është nëse e mposht me gjashtë gola diferencë, përndryshe do të luajnë në play-offin e Botërorit, që mbahet në muajin mars.