Java e gjashtë në Superligën e Kosovës në futboll ka sjellur derbin e madh lokal ndërmjet Dritës dhe Gjilanit.
Rezultati i 90 minutave në fushë ishte 0-0 me një ndeshje të cilën dy skuadrat kanë mundur ta fitojnë.
Presidenti i SC Gjilanit, Florim Zuka ka thënë se ai nuk është i kënaqur me një pikë, por megjithatë sipas tij ka qenë një derbi i mirë. Gjithashtu ai tha se ka pasur shumë ndërprerje nga gjyqtari, e sipas Zukës kjo ka qenë nga presioni i ndeshjes.
“Të kënaqur nuk jemi as me një pikë as me dy, por me tri pikë. Në derbi mund të fitosh ose të humbësh, por ka qenë derbi i mirë. Referimi nuk ka qenë tendencioz por ndoshta prej presionit të ndeshjes nuk ka lejuar të zhvillohet loja siç duhet, ka pasur shumë ndërprerje”, ka thënë fillimisht Zuka për “Zeri.info”.
I pyetur se a ka pritur më shumë nga skuadra e tij ai nuk ka hezituar të flasë edhe pse i arsyeton futbollistët e rinj të cilët kanë ardhur këtë verë.
“Normal, kam prit më shumë, por ka lojtarë të ri të cilët deri të komponohen normal se u nevojitet kohë, megjithatë jam i kënaqur”, shtoi tutje ai.
Skuadra e drejtuar nga Gentjan Mezani në gjashtë ndeshje ka tubuar nëntë pikë dhe është larg liderit, Ballkanit, shtatë pikë. I pari i “kuqë e bardhëve” nuk e diskutoi fare ndryshimet në shtabin teknik pasi që është shumë i kënaqur me punën e trajnerit nga Shqipëria.
“Me trajnerin jam shumë i kënaqur, nuk pritet ndryshim, as nuk diskutohet të ketë ndryshime”, përfundoi Florim Zuka.
Ndryshe, pas ardhjes së Florim Zukës në krye të klubit, SC Gjilani është rrugës drejt një klubi profesional e cila për pak vite në “duart” e tij ka arritur të marrë pjesë në garat evropiane për klube.