Bashkimi Kombëtar ka nisur, tanimë po vazhdon në nivele të reja! Sigurisht, gjithmonë nga sporti dhe kurrsesi nga politika. Pavarësisht rezultatit që Shqipëria do të marrë ndaj Hungarisë, do të jemi ende në lojë për kualifikimin me vendin e dytë dhe kundër Polonisë do të luhet një finale e vërtetë në “Air Albania”.
Për ta bërë të mundur këtë ëndërr që të bëhet realitet, duhet me patjetër një transformim dhe ndryshim nga e gjithë Shqipëria. Tifozët po e nisin të parët! Gjithmonë në stadium kemi parë grupime të tifozëve nga të gjitha trevat shqiptare që shpalosin banerin e tyre.
Por këtë herë do të jenë shumë grupimeve të tifozëve që do të shkrihen në një të vetme, TKZ. Grupimi besnik i Kombëtares ka njoftuar në rrjetet sociale se “Ballistët”, “Kastriotët Gostivar” dhe “Xhebrailat” do të jenë së bashku me TKZ për t’i dhënë zemër lojtarëve në fushën e lojës, ndërsa numri do të shtohet më tepër gjatë orëve në vijim. Kështu zëri mund të bashkohet dhe të oshëtijë në gjithë stadiumin, pa ndarje, por me qëllimin e vetëm: “SHQIPËRIA NË BOTËROR”.