Zbulohet se si po tenton ta bind Laporta Messin që të qëndrojë

Pesë javë pasi u bë president i Barcelonës ​​dhe pasi u njoh me rezultatit e auditimit Joan Laporta tashmë është duke përgatitur ofertën për të rinovuar kontratën me Leo Messin.

Sikurse shpjegojnë mediet pranë Barçës, presidenti mësohet se ia ka bërë të qartë situatën ekonomike kapitenit.

I vetëdijshëm se nuk mund të konkurrojë në nivelin e pagave me propozimet e tjera që ka marrë argjentinasi, plani i Laportës është të bindë Messin me një kontratë që do të fillojë me një pagë më të ulët se e tanishmja, por që do të rritet me konsolidimin e situatës financiare dhe me propozimin që të jetë ambasador i klubit edhe pasi “të varë këpucët në gozhdë”.

Sipas të njëjtave informacione, Laporta gjithashtu po përpiqet ta bindë Leo Messin me blerjen e Erling Haaland, një futbollist që do t’i jepte ekipit një bonus për të garuar përsëri për Champions League. Messi gjithmonë e ka bërë të qartë se, përtej çështjes ekonomike, ai kërkon të ketë një projekt sportiv fitues dhe presidenti i Barçës mendon se me nënshkrimin e mundshëm të sulmuesit të Dortmundit, “Pleshtit” do t’i plotësohej edhe ky kusht.

Gjithsesi, burime pranë lojtarit thonë se kapiteni ende nuk ka marrë ofertë zyrtare nga presidenti ose klubi i Barçës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *