Barcelona vështirë se mund të kishte kërkuar më shumë nga Joao Cancelo në fazat fillestare të huazimit të tij, pasi lojtari po shfaq formë tejet të mirë.
“Blaugranët” nënshkruan me portugezin në formë huazimi për një sezon nga Manchester City. Marrëveshja u arrit në ditën e fundit të afatit kalimtar të verës.
Pjesërisht, arsyeja pse ata arritën të sigurojnë shërbimet e Cancelos është për shkak të mosmarrëveshjes së lojtarit me trajnerin e Man Cityt, Pep Guardiola.
Asnjëri prej tyre nuk e ka pranuar ndonjëherë se kanë mosmarrëveshje, por kjo duket se ekziston, duke marrë parasysh se mbrojtësi i krahut u largua në formë huazimi edhe në janar, te Bayern Munichi.
Tani “Catalunya Radio” pretendon se ka zbuluar gjenezën e “përjashtimit” të 29-vjeçarit nga Manchester City. Sipas informacioneve të tyre, gjithçka erdhi nga një derbi i Manchesterit, të cilin “Qytetarët” e humbën 2:1. Në atë përballje thuhet se Guardiola pa diçka që nuk i pëlqente nga Cancelo.
Ndeshjen tjetër ai u zëvendësua me Rico Lewis, i cili performoi mirë në një fitore 4:2 ndaj Tottenham Hotspur, dhe më pas i mbajti gjërat të njëjta për fitoren e tyre 3:0 ndaj Wolves ndeshjen tjetër.
Në raundin e katërt të Kupës FA, Cancelo mbeti në stol, dhe duke dëgjuar e parë sjelljet dhe komentet e portugezit për shokët e tij në stol, Guardiola u tha drejtorëve të klubit, Txiki Begiristain dhe Ferran Soriano, se Cancelo duhej të largohej.
Mbetet të shihet verën e ardhshme nëse Barcelona do t’ia arrijë të transferojë Joao Cancelon, apo lojtari do të kthehet sërish te Manchester City, për të parë për hapat e mëtutjeshëm.