Torino ka njoftuar se njëri prej lojtarëve të vet, emri i të cilit nuk është bërë i ditur, ka dalë pozitiv në testin për Covid-19 dhe është futur menjëherë në karantinë. Ky rast, megjithatë, mund ta vërë në rrezik serioz rifillimin e sezonit në Serie A.
Klubet e Serie A u lejuan këtë javë t’i rifillojnë stërvitjet individuale, duke iu përmbajtur rregullave për mbajtjen e distancës sociale, transmeton GE.
Para se t’i hapin portat e qendrave stërvitore, klubet po i testojnë të gjithë lojtarët dhe stafin për koronavirus dhe po ua bëjnë analizat e gjakut.
Dhe Torino njofton se gjatë testimeve një lojtar i tij ka dalë pozitiv me Covid-19.
Klubi nuk e ka bërë të ditur emrin e lojtarit por konfirmuar se ai nuk kishte simptoma dhe është vendosur menjëherë në karantinë.
“Pas një ekzaminimi fillestar mjekësor, njëri prej lojtarëve tanë ka dalë pozitiv për Covid-19. Lojtari, momentalisht pa simptoma, është vendosur menjëherë në karantinë dhe do të vëzhgohet vazhdimisht”, thuhet në njoftimin e Torinos.
Ky është testi i parë i vërtetë për protokollin mjekësor dhe rifillimin e sezonit 2019/20 në Serie A, pasi skenari që i frikësoheshin më së shumti ishte ndonjë rast pozitiv në mesin e futbollistëve.