Kemi dëgjuar shumë histori me lojtarë me pamundësi ekonomike apo edhe me prindër të lojtarëve me pamundësi ekonomike, por ky rast që po habit median botërore është pikërisht historia e një prindi të varfër me një djalë të suksesshëm dhe me një pagë milioneri.
Ky është rasti i Jean Kean babai i sulmuesit 20-vjeçar të PSG Moise Kean, ku tregon vështirësitë në jetën e tij pa ndihmën e djalit të tij:
“Po vuaj shumë në këtë periudhë. Prej një viti nuk punoj e nuk gjej askënd të më japë një dorë. Jam një baba i braktisur. Jam munduar të gjej një punë duke i kërkuar njerëzve çfarëdo gjëje, vetëm që të punoja, por deri sot nuk kam gjetur asgjë. Jam operuar nga prostata kohët e fundit dhe nuk kam asnjë të më blejë mjekimet, jam në shtëpi i braktisur e fëmijët e mi nuk e vrasin mendjen.
Lutem gjithnjë për ta, do ti dua gjithnjë, pavarësisht nga gjithçka. Kam qiranë për të paguar e jam në borxh me pronarin. Shumë shpejt do përfundoj në rrugë, për këtë më vjen turp. Gjëja më e keqe ishte kur më zbritën nga treni, sepse nuk kisha biletë. Edhe për të ngrënë jam në hall. Javën e kaluar shkova disa herë tek Karitas e është diçka që të heq dinjitetin. Të gjithë mendojnë se jam i pasur ngaqë jam i ati i Moises, por realiteti është tjetër. E kam ndjekur unë gjithnjë, edhe kur e solla tek Juventus, kontratën e parë e firmosi me mua.
Kur isha në Fosano, më telefonoi Marota e më tha: ‘Kemi nevojë për ty sepse e ëma e Mois, bashkë me Raiolan, duan ta dërgojnë në Angli. Nëse ti firmos një letër ku deklaron që nuk do që yt bir të lëvizë nga Juventusi, ne do ta mbajmë këtu’. E pyeta çfarë fitoja unë e ata më thanë se do të më ndihmonin. Përgjigja ime ishte, ‘Nuk dua të më ndihmoni, më jepni traktorët e vjetër që keni, që t’i çoj në Afrikë e të punoj tokën sepse unë jam agronom’. Po pres ende ata traktorë.
E ëma i ka bërë lavazh truri e tani nuk më flet prej disa vitesh. Ajo është xheloze për fëmijët e saj e është xheloze për mua. Kur pa që i biri po fitonte para, më nxori jashtë loje. Unë e kam shoqëruar të luante futboll kudo, ndërsa ajo nuk donte. Mois mund të shkojë kudo, do ta ketë gjithnjë bekimin tim, edhe pse preferoj të kthehet në Itali, por nëse ndihet mirë në Paris jam i lumtur për të. I kërkoj tim biri një ndihmë financiare sepse kështu nuk mundem. Nuk do kisha arritur kurrë deri këtu, por nuk di si të dal nga kjo gjendje.”, përfundon babai i Mois Kean.