Mbrojtësi i Manchester City, Joao Cancelo, u sulmua në shtëpinë e tij nga katër hajdutë të enjten mbrëma. 27-vjeçari ka pësuar lëndime në fytyrë, pasi ka luftuar kundër grabitësve, të cilët janë larguar me bizhuteritë e vjedhura. Partnerja e Cancelo, Daniela dhe vajza e vogël ishin në shtëpi kur ndodhi grabitja, një incident që i la të tronditur. Manchester City tha se policia po heton ngjarjen.
Ylli portugez, i cili jeton në periferi të Manchesterit, postoi një fotografi të tij në Instagram për të dokumentuar plagët pas sulmit. “Fatkeqësisht, sot u sulmova nga katër frikacakë që më lënduan dhe u përpoqën të lëndonin familjen time, – shkroi ai. – Kur bën rezistencë, kjo është ajo që ndodh.
Ata arritën të m’i merrnin të gjitha stolitë dhe ta linin fytyrën time në këtë gjendje. Nuk e di se si ka njerëz kaq të poshtër. Gjëja më e rëndësishme për mua është familja dhe për fat të mirë janë të gjithë mirë. Pas kaq shumë pengesash në jetën time, kjo është vetëm një më shumë që do ta kapërcej. I vendosur dhe i fortë, si gjithmonë”.
Manchester City reagoi me një deklaratë: “Jemi të tronditur dhe të tmerruar që Joao Cancelo dhe familja e tij iu nënshtruan një vjedhjeje në shtëpinë e tyre këtë mbrëmje, gjatë së cilës Joao u sulmua gjithashtu. Joao dhe familja e tij po mbështeten nga klubi, ai po ndihmon policinë me hetimet e kësaj çështjeje shumë serioze”.
Cancelo iu bashkua “qytetarëve” në vitin 2019 si transferim prej 60 milionë stërlina, ardhur nga gjiganti italian, Juventusi.