Jordi Alba ka mbetur i mllefosur pasi Barcelona e pranoi një gol të vonshëm nga penalltia, i cili ia mundësoi Cadizit ta nxjerrë një barazim 1:1 në Camp Nou të dielën.
Barcelona e priti Cadizin në Camp Nou të dielën, e vetëdijshme se me një fitore të mundshme do ta zvogëlonte në vetëm gjashtë pikë epërsinë me liderin pas humbjes së Atleticos kundër Levantes një ditë më parë, transmeton GE.
Por skuadra e Koeman dështoi ta ruante deri në fund epërsinë e krijuar nga Leo Messi nga penalltia, duke pranuar gol në çastet e fundit nga pika e bardhë, pas penalltisë së shkaktuar nga Clement Lenglet.
Ky barazim nënkupton se Barça ngel tetë pikë prapa Atleticos tani.
“Është faji ynë. Ne e dominuam ndeshjen. Ne e dinim se ata po mbylleshin mbrapa. Sa keq por është faji jonë. Ishte një mundësi unike”, tha Alba pas ndeshjes.
“Rruga ende është e gjatë por ne nuk guxojmë t’i lëshojmë këto mundësi. Sot kishim mundësi unike. Nuk ka arsyetim. Duhet të mendojmë dhe të përmirësohemi. Kjo është e papranueshme”, shtoi ai.