Granit Xhaka, mbase padrejtësisht, është duke u kritikuar më së shumti nga ish-futbollistët dhe analistët e futbollit në Angli për barazimin e Arsenalit me Liverpoolin të dielën në Anfield.
Liverpooli u rikthye nga një disavantazh prej 0:2 për të barazuar 2:2 falë golave nga Mohamed Salah dhe Roberto Firmino.
Lideri i Premierligës e kishte krijuar epërsinë e dy golave brenda 28 minutave kur Gabriel Martinelli dhe Gabriel Jesus shënuan, dhe e pati lojën në kontroll të plotë, deri në çastin kur Granit Xhaka u kacafyt me mbrojtësin e të kuqve Trent Alexander-Arnold.
Fjalosja e mesfushorit nga Kosova me mbrojtësin anglez e zgjoi turmën e rënë në gjumë deri në ato çaste në Anfield.
Në ekipin e tij të javës, ish-futbollisti i njohur anglez tani analisti i BBC-së, Garth Crooks, e paralajmëroi Arsenalin se Xhaka mund t’ia çojë dëm tërë djersen e derdhur këtë sezon.
“Topçinjtë janë tejet afër të prodhojnë diçka shumë të veçantë këtë sezon, por një paralajmërim për të: Granit Xhaka është një person i pakontrollueshëm në një rrugë të mbushur me eksploziv dhe Arsenali duhet të bëjë diçka për ta ndalur atë, para se ai t’ia shkatërrojë tërë sezonin”, shkroi Crooks.
Ndërkohë, në një shkrim për këtë ndeshje, BBC shkroi:
Xhaka i harroi marrëzisht i harroi të gjitha mësimet, u përfshi në një kacafytje plotësisht të panevojshme me Trent Alexander-Arnold, duke i inatosur lojtarët e Liverpoolit dhe – po aq rëndësishëm – tërë Anfieldin, pasi ky stadium papritmas u bë një lloj shtëpie e ariut që kjo turmë e ushqen.
Mos e ngacmo ariun në shtëpinë e tij. Xhaka e bëri, e pasojat ishin të pashmangshme.
Nuk ka dyshim se ndërhyrja e Xhakës e ndryshoi atmosferën dhe bëri që skuadra e tij në përgjithësi ta humbë disiplinën në disa çaste vendimtare.
Kritika ndaj Xhakës pati edhe nga ish-mbrojtësi i Anglisë dhe Manchester Unitedit, Gary Neville, i cili beson se kapiteni i Zvicrës e ndryshoi lojën për të keq me veprimin e tij.
“Kur kjo turmë fle, mos e zgjo. Lëre. Xhaka e zgjoi turmën”, tha Neville për Sky Sports.
Liverpooli i bëri 19 goditje në drejtim të portës së Ramsdale – kaq shumë goditje nuk kishte pranuar Arsenali që prej sezonit 2003-04, kur filloi grumbullimi i të dhënave.
Arsenali me këtë pikë e çoi në gjashtë epërsinë ndaj rivalit Manchester City në garë për titull, por ky i fundit ka një ndeshje më pak të zhvilluar.