Bayer Leverkusen e ka fituar edhe trofeun e dytë këtë sezon.
“Farmaceutikët” triumfuan në finale të Kupës së Gjermanisë minimalisht 0:1 ndaj ekipit nga kategoria e dytë, Kaiserslautern.
Dhe, ishte Granit Xhaka, protagonisti kryesor i kësaj finaleje.
Futbollisti me prejardhje nga Kosova shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 16-të.
Ishte një goditje e fuqishme nga distanca e cila u ndal në rrjetë.
Situata disi u vështirësua për skuadrën e Xabi Alonsos kur Kossounou e mori kartonin e dytë të verdhë në minutën e 44-të dhe e la skuadrën e tij me një lojtar më pak përgjatë tërë pjesës së dytë.
Megjithatë, kjo nuk ndikoi te Leverkusen që arriti ta menaxhonte epërsinë deri në fundin e takimit.
Kësisoj, pas titullit të Bundesligës, Bayer Leverkusen e fiton edhe Kupën e Gjermanisë.
Xhaka me shokë ishin edhe në finale të Ligës së Evropës, megjithatë u mposhtën nga Atalanta 3:0, duke e pësuar humbjen e parë pas 51 ndeshjeve.