Në orët e para të mëngjesit të sotëm, Barcelona konfirmoi arritjen e marrëveshjes me Xavi Hernandez që ai të marrë stolin e trajnerit të klubit.
Xavi ka nënshkruar kontratë tre-vjeçare, që pritet ta mbajë atë në krye të klubit deri në qershor të vitit 2024.
Përmes një postimi në Instagram, ai ka thënë se po kthehet në shtëpinë e tij, në klubin ku ai u rrit.
“Po kthehem në shtëpi. Po kthem në vendin që më pa duke u rritur, në klubin e jetës time”.
“Nuk kam fjalë të përshkruajë emocionin që ndjej për të mbrojtur sërish këtë mburojë që është vulosur në zemrën time, për të ndjerë sërish vibrimin e “Camp Nou”, dhe brohoritjet e inkurajimit nga këta tifozë të mëdhenj”.
“E di që po arrij në një moment të vështirë, por këtë sfidë po e përballoj me entuziazmin më të madh”.
“Unë do të punoj dhe do të luftoj me ju të gjithë për të arritur së bashku vendin që meritojmë”.
“Faleminderit Barcelonës për besimin tek unë, si dhe të gjithë tifozët që besuan se unë duhet të marr këtë rol të rëndësishëm. Historia vazhdon”, shkroi Xavi.
Xavi do të zhvillojë ndeshjen e parë në krye të Barcelonës më 20 nëntor ndaj Espanyolit.