Sulmuesi kosovar i Werder Bremenit, Milot Rashica, do të tentojë ta dëshmojë sot se nuk ka rënë nga forma, siç raportoi gazeta gjermane Bild të hënën, duke ia dhuruar skuadrës së tij një fitore në ndeshjen kundër Dortmundit të Erling Haalandit.
Werder Bremeni do ta presë skuadrën e Dortmundit të martën në orën 20:45 në stadiumin Qeserstadion, për ndeshjen e 1/8 të finales së Kupës së Gjermanisë, DFB Pokal.
Dortmundi është favorit në këtë skuadër, duke e marrë parasysh edhe formën e dobët nëpër të cilën po kalon Bremeni.
Në anën tjetër, Dortmundi është në formë mbresëlënëse, veçanërisht pas transferimit të yllit norvegjez, Erling Haaland, i cili i ka shënuar shtatë gola në tri ndeshje.
Histori të ndryshme nga Haalandi gjatë këtij viti të ri kalendarik ka Rashica. Përkundër që ai është golashënuesi më i mirë i Bremenit këtë sezon me nëntë gola, ai s’ka shënuar në ndeshjet e fundit duke shtuar fjalët se s’është në formë të mirë.
Megjithatë, Rashica do të tentojë ta dëshmojë të kundërtën sot, duke tentuar ta vazhdojë ecurinë e shënimit të golave në tri runde radhazi të Kupës së Gjermanisë, pasi kishte shënuar në fitoret 6:1 kundër Atlas Delmenhorst dhe 4:1 kundër Heidenheimit.
Rashica ka shënuar në secilën nga pesë ndeshjet e fundit të kupës, duke e barazuar kështu rekordin e klubit që e mbanin Wynton Rufer dhe Heinz-Dieter Hasebrink.
Në vitin 2019, vetëm Robert Lewandowski kishte shënuar më shumë gola në këtë garë sesa kosovari.