Ish-trajneri i Arsenalit, Arsene Wenger, ka thënë se Jose Mourinho e bën të ndihet sikur është në çerdhe me provokimet e tij të përhershme.
Wenger iu bashkua Arsenalit në vitin 1996 dhe qëndroi dy dekada në postin e trajnerit të klubit, duke i ndihmuar t’i fitojë tre tituj në Premierligë dhe shumë trofe të tjerë, transmeton GE.
Pasi u pensionua nga roli i trajnerit në vitin 2018, në fillim të këtij muaji 70-vjeçari e publikoi autobiografinë e tij me titullin “Jeta kuqebardh”, ku flet për kohën e kaluar në Arsenal kryesisht.
Libri flet për rivalitetin e famshëm të Wengerit me Sir Alex Ferguson dhe shoqërinë e tyre pas pensionimit, por për habi jo edhe për Jose Mourinhon.
I pyetur në fillim të kësaj jave për mungesën e tij në faqet e autobiografisë së Wengerit, Mourinho tha se rekordi i tij superior ndaj francezit ka qenë arsyeja pse ai nuk e ka përmendur atë në libër.
“Nuk e shkruan një kapitull për 12 apo 14 ndeshje që nuk i fiton dhe të flasësh për to. Libri është diçka për të bërë të lumtur, për të bërë krenar prandaj e kuptoj këtë situatë shumë mirë”, kishte thënë Mourinho.
Wenger i është përgjigjur trajnerit të Tottenhamit, duke thënë: “Nuk më shqetëson. Është provokim i përhershëm. Ndiej sikur jam në çerdhe me të. Por kjo është pjesë e personalitetit të tij”.
“E ka gabim sepse ne e kemi mposhtur atë dy herë. Kemi fituar dhe po ashtu kemi barazuar shumë shpesh”, shtoi ai.