“Viti më i vështirë i jetës sime”, Broja bën bilancin e vitit 2022

Një vit i ndarë mes dy klubeve. 2022-shi e pa Armando Brojën, yllin e kombëtares sonë kuqezi mes Southampton dhe Chelsea. Në klubin ku u huazua pati një shpërthim, shënoi disa gola, çka i shtyu drejtuesit e bluve të Londrës ta kthejnë në shtëpi dhe ta llogarisnin “armë” shtesë në sezonin aktual, nisur edhe nga fakti se Lukaku u dërgua tek Interi.

Megjithatë, aktivizimin e pati me pikatore te londinezët, derisa pësoi dëmtimin e rëndë në miqësoret e periudhës së pushimit prej Botërorit. Pas operacionit në gju, tashmë shqiptari duhet të “lëpijë plagët”, por dhe të bëjë një bilanc të vitit që po lëmë pas. Përmes rrjeteve sociale, Broja ka shkruar:

“Ndoshta viti më i vështirë i jetës sime deri më sot. E bukura e kësaj bote është se gjithmonë ka shanse dhe mundësi që ju presin në të ardhmen. Nuk jam aspak perfekt si person apo lojtar, por përpiqem të jem versioni më i mirë i vetes çdo ditë për njerëzit që më interesojnë më shumë, por edhe për njerëzit që më shikojnë dhe presin më shumë nga unë.

Marr gëzim dhe lumturi në fushën e futbollit dhe jam mjaft me fat dhe mirënjohës që mund ta ndaj çdo ditë me ju djema. Kjo padyshim që më lëndon shumë që nuk mund të bëj punën ose sportin që na pëlqen për një periudhë të gjatë kohore.

Është gjithmonë e vështirë për t’u pranuar, por me njerëz të mirë rreth meje dhe ata pak njerëz që e bënë këtë vit më të mirë për mua, unë do të rikthehem akoma më i mirë. Jam 100% i sigurt për këtë. Edhe një herë dua të them faleminderit për mbështetjen dhe dashurinë tuaj, kjo më ndihmon gjithmonë në kohë si këto”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *