Vazhdon ‘telenovela Lewandowski’, presidenti i klubit reagon pasi ai tha publikisht se do të largohet

Presidenti i Bayern Munich, Herbert Hainer ka reaguar pasi Robert Lewandowski tha publikisht se dëshiron të largohet nga ‘Allianz Arena’.

Sulmuesi polak ka njoftuar synimin e tij për t’u larguar nga bavarezët, por presidenti i klubit ende pret që ai të qëndrojë në ‘Allianz Arena’.

Hainer, thotë se ai është i bindur se Lewandowski nuk do të largohet këtë verë, pavarësisht thashethemeve të forta që e lidhin sulmuesin me Barcelonën.

Polaku konfirmoi se ai nuk do të zgjasë kontratën e tij me Bayernin, duke ndezur spekulime intensive për të ardhmen e tij.

33-vjeçari në grumbullimin e tij me kombëtare tha se “historia e tij në Bayern ka përfunduar”, me Barçën që tani thuhet se po udhëheq garën për të siguruar shërbimet e tij, por Hainer ende pret që ai të respektojë kontratën e tij që është edhe këtë sezon.

“Isha pak i befasuar që Roberti zgjodhi të dilte publikisht, nuk do ta kisha bërë po të isha në vend të tij.

Bayerni është një klub që i trajton shumë mirë lojtarët e tij, që bën gjithçka për t’i mundësuar ata të performojnë më të mirën e tyre. Dhe më duhet të them, vlerësimi nuk është një rrugë njëkahëshe”, tha presidenti, përcjell lajmi.net.

Hainer thotë se Bayern nuk ka asnjë arsye për të shitur Lewandowski këtë verë dhe ai nuk shqetësohet se sulmuesi mund të joshet nga një lëvizje te ndonjë klub tjetër.

“Ne jemi në pozitën me fat që nuk kemi ndonjë vështirësi financiare. Ne duam të kemi lojtarët më të mirë dhe Roberti është një nga më të mirët.

Kjo është arsyeja pse unë kam besim se ai do të jetë përsëri me ne sezonin e ardhshëm. Robert është një profesionist i plotë, ai dëshiron të luajë futboll”, përfundoi ai.

Lewandowski thuhet se ka arritur të akordohet me Barcelonën për një transferim drejt tyre, me një kontratë trevjeçare.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *